Ndotja e ajrit i referohet ndotësve të ndryshëm në atmosferë, me origjinë nga një sërë burimesh siç janë industria, transporti / trafiku, bujqësia ose shtëpitë. Ndotësit e ajrit mund të pezullohen drejtpërdrejt në atmosferë (ndotës primarë të emetimeve) ose mund të formohen si rezultat i  reaksioneve kimike komplekse që ndodhin në atmosferë (emision sekondar).

– Ndotës primar të emetimeve – squfur-dioksid (SO2) ose azot-monoksid (NO), ndotës që lëshohet direkt në atmosferë nga burimet e tij.

– Ndotës sekondarë – ozon (O3), ndotës të formuar si rezultat i reaksionit kimik.

Përveç gazeve, ndotja e ajrit ndodh në formën e grimcave të ngurta ose pluhurit të imët. Këto grimca mund të përmbajnë një numër komponentësh, përfshirë metalet dhe grimcat e tokës ose të pluhurit. Ky lloj i ndotjes së ajrit është jashtëzakonisht i rrezikshëm sepse ato grimca janë të padukshme dhe lehtë mund të depërtojnë përmes sistemit të frymëmarrjes njerëzore dhe të hyjnë në mushkëri apo edhe në qarkullimin e gjakut.

Madhësia e grimcave PM10 dhe PM2.5 |

Madhësia e këtyre grimcave matet në mikrometra dhe në përgjithësi ndahen në dy kategori:

– Grimcat e trashë të inhalueshme – ato që gjenden në afërsi të rrugëve dhe vendeve të ndërtimit, diametri i të cilave është më i madh se 2.5 mikrometra por më i vogël se 10 mikrometra.

– Grimcat e imëta – ato që gjenden në zjarre pyjore, trafik, industri dhe janë 2.5 mikrometër në diametër ose më të vogla.

Grimcat ndikojnë tek ne në varësi të madhësisë së tyre. Sistemet tona të mbrojtjes natyrore na ndihmojnë duke kollitur ose teshtitur grimcat më të mëdha nga trupi ynë. Por sistemet tona të mbrojtjes nuk janë gjithmonë të suksesshme në mbajtjen e grimcave më të vogla nga hyrja në sistemin tonë të frymëmarrjes ose të qarkullimit të gjakut, thjesht sepse ato kalojnë të pazbuluar përmes hundës ose gojës, për shkak të madhësisë së tyre.

Për qëllime ilustrimi, nëse një qime njerëzore ka 50-70 mikrometër në diameter atëherë mund të themi se grimca PM2.5 (2.5 mikrometra) është 30-40 herë më e vogël se dimetri i flokëve të njeriut, i cili bëhet padukshëm për syrin e njeriut.

Efektet e pafavorshme shëndetësore

Ekspozimi i gjatë ndaj ndotjes së ajrit është shoqëruar me një seri efektesh të pafavorshme shëndetësore. Rreziku i ndotjes së ajrit të shkaktuar nga grimcat e vogla të ajrit (PM10 dhe PM2.5), është rritur në Mitrovicë i cili ka një histori të gjatë të ndotjes së ajrit dhe është i njohur në këtë drejtim, në të kaluarën kryesisht nga kompleksi Industrial Trepça dhe aktualisht nga një burim tjetër e ndotjes – ndotja e ajrit e shkaktuar nga trafiku në qytet.

Trafiku është një burim i madh i ndotjes së ajrit në qytete. Ndotësit e ajrit lëshohen nga motorët e automjeteve në atmosferë në sasi të konsiderueshme, së bashku me emetimin e CO2, gjë që shkakton një çështje të rëndë për mjedisin dhe shëndetin e banorëve.

Shumë studime kanë paralajmëruar në lidhje me efektet negative që materia grimcë (PM) mund të ketë në botën e gjallë. Për shembull, një studim i kryer në Gjermani tregoi se ekspozimi i një modeli kafshësh ndaj PM ishte i lidhur me shanset e rritura për zhvillimin e arteriosklerozës (Suwa et al. 2002). Një studim i kryer gjithashtu në Gjermani tregoi se popullata e moshuar ka shanse më të larta për të marrë një presion më të lartë të gjakut kur i ekspozohet niveleve më të larta të ndotjes së ajrit (Ibald-Mulli et al. 2001).

Një studim i kryer në SH.B.A. tregoi ekzistencën e një mekanizmi i cili mund të çojë pacientët në vazokonstruksion akut ose kronik dhe aterosklerozë, për shkak të inflamacionit sistemik ose stresit oksidativ (Zanobetti et al. 2004).

Ndotja e ajrit rrit rreziqet e shumë sëmundjeve, përfshirë disa lloje të kancerit[1], çrregullime psikologjike[2], sëmundje kardiovaskulare[3] dhe pulmonare[4]. Mund të shkaktojë ose përkeqësojë astmën dhe bronkitin kronik te fëmijët[5]. Sipas të dhënave të qeverisë së Belgjikës, ka 632 vdekje të parakohshme në vit vetëm në Bruksel që janë shkaktuar nga ndotja e ajrit[6].

[1] “Residential Traffic Exposure and Childhood Leukemia: A Systematic Review and Meta-analysis” Boothe, Vickie L.; Boehmer, Tegan K.; Wendel, Arthur M.; Yip, Fuyue Y. American Journal of Preventive Medicine, April 2014, vol. 46

[2] Shuai Chen, Paulina Oliva, Peng Zhang, NBER Working Paper No. 24686, June 2018

[3]Rice MB, Thurston GD, Balmes JR, Pinkerton KE. Climate change. A global threat to cardiopulmonary health. Am J Respir Crit Care Med. 2014;189:512–519

[4] Young MT, Sandler DP, DeRoo LA, et al. Ambient air pollution exposure and incident adult asthma in a nationwide cohort of U.S. women. Am J Respir Crit Care Med. 2014;190:914–921

[5] Sheffield PE, Zhou J, Shmool JL, Clougherty JE. Ambient ozone exposure and children’s acute asthma in New York City: a case-crossover analysis. Environ Health. 2015

[6] http://document.environnement.brussels/opac_css/elecfile/PLAN_AIR_CLIMAT_ENERGIE_FR_DEF.pdf

Categories: Blog